Shitja e sulmuesit Romelu Lukaku është kthyer në çështje tek Interi aq sa ka krijuar dhe përçarje në radhët e hierarkisë së drejtuesve. Chelsea ka ofruar 128 milionë euro dhe përballë kësaj shume, klubi zikaltër është dorëzuar. Tuchel e do belgun në skuadër me çdo kusht para të mërkurës që ta ketë gati për finalen e Superkupës së Evropës kundër Villarreal. Shuma e majme do t’u sillte zikaltërve fitim deri në 70 milionë euro, pasi pjesa tjetër i takon Manchester United, si pjesë e pashlyer e blerjes së Lukakut para dy vitesh.

Trajneri Inzaghi dhe CEO Marotta kanë dalë kundër shitjes pasi janë të vetëdijshëm për pasojat që do të sillte largimi i Lukakut në aspektin teknik. Por vendimi i takon presidentit Zhang dhe aksionerëve, të cilët për hir të vërtetës, kanë dhënë miratimin për këtë transferim. Kjo ka çuar në një përçarje dhe midis drejtuesve, pasi Inzaghit i është premtuar shumë dhe me shitjen e Hakimit, Lukakut dhe Lautaros me shumë mundësi do të humbiste baza e ekipit. Gjithashtu, “Curva Nord” iu drejtua selisë së klubit ditën e djeshme me banderola: “Mbani premtimet”.