Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka bërë të ditur se i kanë rritur kapacitetet e shtretërve në mbi 1.600 teksa oksigjenimi qendror është shtrirë në secilin spital regjional. Ai në një konferencë për media ka thënë se edhe personat e vaksinuar mund të jetë shpërndarës dhe bartës të variantit delta, i cili është shumë më ngjitës dhe më i rrezikshëm se sa variantet e mëhershme. Kurti: “E para, edhe të vaksinuarit mund të jenë bartës dhe shpërndarës. Pra, vaksinimi të mbron ty, jo tjetrin, pasi bartës e shpërndarës mund të jesh edhe si i vaksinuar. Nuk jemi të kënaqur me një lloj disipline që duhet të jetë dy herë dyjavore. I bëj thirrje qytetarëve që me rastin e vaksinimit, dy javë të ketë shumë kujdes, pasi nuk ekziston situata merr vaksinën dhe tash mund të sillesh lirshëm. Edhe dy javë nuk je i lirshëm. Efekti i vaksinës është vetëm pas dy javësh. Është një numër i konsiderueshëm edhe pas marrjes së dozës së parë, qytetarët nuk e kanë pasur disiplinën dy javore, përkatësisht. AstraZeneca kemi në shumë se Pfizer. Qytetarët të mos kërkojnë vetëm Pfizer. Kryeministri juaj i ka marrë dy doza AstraZeneca. Gjendja e rëndë e cila ndodhemi është për shkak të variantit Delta.”

Kurti ka theksuar se infektimet krahasuar me vitin e kaluar janë shumë më të larta dhe se nga vdekjet e sotme, 5 prej tyre janë të vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës kundërCOVID-19. Ai ka thënë se nga 1 gushti-27 gusht nga 33.006 raste pozitive, 2505 kanë qenë të vaksinuar me një dozë, teksa ka dhjetëfishim të rasteve të atyre që janë infektuar ndonëse mund të kenë qenë të vaksinuar. Kurti: “Gjendja e rëndë është për shkak të variantit delta. Pasi e ka shumë fish më të lartë shpërndarjen se variantet e tjera. Në bazë të të dhënave të individëve të testuar nga 1 prilli, pas nisjes së vaksinimit, më 29 mars, në periudhën 1 prill-31 korrik, nga 22407 raste pozitive, 181 kanë qenë të vaksinuar së paku me një dozë. Nga të gjithë ata që janë testuar e që kanë dalë pozitivë, 0.80 për qind kanë qenë të vaksinuar me një dozë. Nga 33 mijë e 6 raste pozitive, 2505 kanë qenë të vaksinuar me një dozë, apo kemi gati dhjetëfishim të rasteve të tyre që janë testuar pozitiv, ndonëse kanë pasur një dozë vaksine.”

Ai ka shtuar se nga prilli-korrik kanë qenë dy raste të vdekjes, gjatë periudhës 1 gusht deri më 27 gusht kanë qenë 33 raste të vdekjes. Kurti ka paralajmëruar gjoba për të gjithë ata që nuk zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke shtuar edhe praninë e pjesëtarëve të policisë në rrugë, rritjen e numrit të inspektorëve. Kurti: “Ne do të shqiptojmë gjoba për këdo që shkel masat, do të shtojmë policinë, ndërkaq inspektorët do të shtojnë kontrollet dhe mbikëqyrjen e zbatimit të masave në dyqane dhe qendra tregtare. Do të gjashtëfishojmë inspektorët në AUV. Lista e 85 inspektorëve që shtohen do të publikohet nesër dhe ata nisin punën gjatë javës. Orari i punës së pjesëtarëve të policisë do të jetë 12 orësh.”

Kosova ka regjistruar në 24 orët e fundit 36 viktima me koronavirus. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se viktimat ishin të grup-moshave të ndryshme. Njëmbëdhjetë viktima bënin pjesë në grup-moshën 60-69 vjeç, tetë ishin të grup-moshës 80 vjeç e sipër, nëntë në atë 70-79 vjeç, tri viktima të grup-moshës 50-59 dhe atë 30-39 vjeç, një viktimë i përkiste grup-moshës 40-49 vjeç dhe një viktimë ishte e grup-moshës 20-29 vjeç. Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.