Mesa duket temperaturat e larta nuk do të largohen lehtë nga vendi ynë dhe do të na shoqërojnë të paktën edhe për disa ditë. Lajm i mirë ky për të gjithë ato që kanë planifikuar pushimet në këtë periudhë. Ato do të vijonë të jenë prezente edhe në fillimjavën e ardhshme. Meteorologët shprehen se termometri do të arrijë vlerën maksimale në 39 gradë celsius, ndërsa edhe kjo fundjavë do të mbyllet me karakteristikat e një vere të nxehtë.

“Fundjava mbetet me temperatura të larta ku maximumi mbetet rreth 39°C, ndërsa moti vijon i kthjellët me kalime vranësirash gjatë orëve të mesditës, por jo shi. Përgjithësisht, pjesa e dytë e gushtit mbetet e nxehtë me temperatura 37-38°C , ndërsa 39 do të shënohet vetëm në zona të izoluara.”

Përsa i përket 10-ditëshit të fundit të këtij muaji, sipas meteorologëve do të kemi freskim të motit dhe gjithashtu do të jenë prezente edhe reshjet e shiut të izoluara përgjatë pjesës lindore të vendit. “Pritet freskim i motit në datat 18-21 gusht, ku maximumi ngjitet deri 35°C, ndërsa reshjet shfaqen të pakta, të përkohshme dhe vetëm në zona të izoluara.”

Sipas sinoptikanëve, era do të jetë kryesisht e lehtë me forcim të përkohshëm ne mesditë, por nuk pritet situatë problematike.