Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur pas takimit që kanë pasur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia në lidhje me masat e reja anti-COVID, që pritet të merren nga Qeveria e Kosovës. Ibrahimi theksoi se komunat kanë pasur tri kërkesa nga Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me menaxhimin e pandemisë. “Kërkesë e AKK-së ishte të shtohen inspektimet në nivel komune dhe të ketë më shumë qendra për vaksinim, por kjo po varet edhe nga numri i vaksinave që ka Kosova në dispozicion. Po ashtu kërkuam që rekrutimi i stafit të ri të decentralizohet në nivel lokal”, theksoi Ibrahimi në një deklaratë për Telegrafin pas takimit të Ministritt të Shëndetësisë, Arben Vitia që ka zhvilluar me kryetarët e komunave.

Sipas diskutimeve me nivelin komunal, që ka bërë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia pritet që masat e reja të cilat do të jenë të vlefshme deri më 13 shtator të jenë këto: Viti i ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator. Të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00. Gastronomia të mbyllet nga ora 21:30. Të shtohet staf shëndetësor dhe inspektorë rreth 1 mijë e 116. Do të realizohen deri 92 për qind kërkesat e komunave për furnizim me barna esenciale. Kosova do të furnizohet me rreth 470 mijë vaksina nga COVAX gjatë javës së parë të shtatorit.