Mero Baze/ Sali Berisha po tenton të krijoj një imazh të rremë për Lazaratin, duke e paraqitur atë si një ushtri besnike të tij kundër SHBA. në hyrjen e tij “triumfaliste” në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ai kishte zgjedhur të shoqërohej nga ish-kryetari legjendar i Komunës së Lazaratit kur ishte Republikë e Drogës dhe nga deputeti aktual i Lazaratit Tritan Shehu. Përzgjedhja e dy shoqërueseve të tij nuk duket aq rastësore, po të kemi parasysh zhurmën që Berisha bëri disa ditë më parë kur Lazarati u shfaq në listën e vendeve të rrezikshme në Shqipëri, në njoftimet rutinë që SHBA bën për qytetarët e saj në Shqipëri.

Njoftimet e Departamentit të Shtetit për vendet ku nuk këshillohet të shkohet për arsye sigurie është një listë teknike, që bazohet në parametrat e sigurisë së një vendi dhe nuk ka lidhje me politikën. Me politikën ka lidhje vetëm nëse një vend ka tendencë të fort antiamerikane dhe sulmon qytetarët amerikanë që gjenden aty.

Lazarati nuk është si një pikë antiamerikane në Shqipëri. Eshtë si një vend i pasigurt.

Berisha me gjestin e sotëm po tenton të manipuloj Lazaratin, duke u përpjekur ti paraqes ata si një vend i vizatuar si antiamerikan për t’i bërë aleat të tij në betejën kundër SHBA.

Kjo është e gjithë domethënia e shoqërimit të tij nga Dashnor Aliko dhe Tritan Shehu, dy përfaqësuesit politikë të Lazaratit sot në politikën shqiptare.Dhe nuk e ka se i duhen ushtare nga Lazarati. E do t’i tregoj Lulzim Bashës, se PD duhet te marre shembull nga Dashua i Lazaratit dhe te mos i vij turp të vdes për Berishën.

Duke tentuar të tërheq Lazaratin në një betejë fillimisht politike e më pas fizike përmes trazirave që planifikon në Shtator, Berisha është duke u investuar ta paraqes atë si një viktimë e politikës së sotme amerikane e cila sipas tij “ndikohet nga Rama dhe Sorosi”. Eshët duke u thënë se “mua Sali Berishën” dhe “ju lazaratasit”, Amerika e sotme po na ndëshkon padrejtësisht.

Nuk di sa vet në Lazarat kanë lajthitur që të luftojnë javën e dytë të Shtatorit për t’i shpëtuar nderin Sali Berishës, por është e sigurt se dy vetë i ka që tani, Dashon dhe Tritanin. Por ata nuk e nderojnë dot, as në Lazarat.