Nga Evis Kushi

Gjatë këtyre ditëve, teksa në shumë vende luftohet ende me zjarrin, m’u kujtua një djalë i vogël, nxënës në një nga shkollat që kam vizituar para pak kohësh. Kur e pyeta “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?”, ai m’u përgjigj “Unë dua të bëhem zjarrfikës!”. U habita, sepse përgjigjja që më kthejnë zakonisht është mjek, inxhinier, artist, apo ndonjëherë edhe politikan.

Ndoshta djali është frymëzuar nga personazhi i tij i preferuar në filmat vizatimorë, por nuk ka frymëzim më të madh se personazhet e jetës reale, këta heronj që luftojnë çdo ditë me zjarret për të shpëtuar jo thjesht shtëpi, pyje e bagëti, por shpëtojnë jetë, zemra, kujtime, ëndrra…

I dashur vogëlush, që nuk ta kujtoj dot emrin! Ndoshta nëna jote sot nuk është dakord me zgjedhjen tënde, sepse mund të ketë thurrur të tjera ëndrra për ty, por nesër ajo do të jetë shumë krenare, siç jemi të gjithë ne për heronjtë e heshtur, pa emër, në këto ditë të zjarrta vere!