LaLiga startoi të premten mbrëma, derisa sonte është dita e Real Madridit të Carlo Ancelottit. Në orën 22:00 do të bëjë debutimin zyrtar sezonal edhe Real Madridi, që vjen me jo pak ndryshime, pasi ia ka besuar pankinën italianit Carlo Ancelotti, i cili vjen për herë të dytë në stolin e Los Blancos, por me objektiva të njëjtë, të fitojë sa më shumë.

Madrilenët do të luajnë në udhëtim ndaj Alavesit, teksa debutimi i tyre pritet me mjaft interes, pasi mungojnë dyshja titullare Ramos-Varane, të cilët janë larguar dhe mbetet të shihet si do ta zëvendësojnë mungesën e tyre Alaba me brazilianin Eder Militao.

Po me kaq interes pritet edhe performanca e dy emrave si Gareth Bale e Eden Hazard, të cilët nuk kanë lënë gjurmë te Reali vitet e fundit, por Ancelotti ka marrë përsipër t’i rikthejë sërish në nivelet më të larta. Do të mungojnë sonte lojtarë si Kroos, Marcelo, Carvajal, Mendy, Mariano për shkak të shqetësimeve me lëndime.