Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë Vendore Fier Bledar Karaxha, ishin në fshatin Frashër të Patosit për të dorëzuat certifikatat e pronësisë të tokave që janë përfituar me ligjin 7501.

Në fillim të bisedës me banorët, Lame bëri me dije se Fieri radhitet i treti për nga numri i lartë i dhënies së lejeve të legalizimit, ku kap shifrën prej 20.000. Ndërsa quajti si proces më të rëndësishëm dhe që po finalizohet me sukses certifikimin e tokave bujqësore në të gjithë Shqipërinë.

Lame ju kërkoi banorëve që të aplikojnë nëpërmjet sistemit të e-Albania për tu pajisur me certifikatë. “Duhet të blesh një biletë për të fituar lotarinë, bëni aplikimin për të marrë tapinë”, tha Lame për të gjithë ata që e kanë gati dokumentin por ende nuk kanë aplikuar për tu pajisur me certifikatë pronësie.

Nëpërmjet një harte, shoqëruar edhe me emra, Lame i ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për certifikatë pronësie. Sipas drejtorit certifikatat janë gati, vetëm pas aplikimit ata do e marrin në rrugë elektronike dokumentin e pronësisë.