Turistët e huaj dhe banorët u evakuuan sot nga hotelet dhe shtëpitë e tyre në jug të Turqisë, përballë shtimit të zjarreve, që po shkatërrojnë vendin prej pesë ditësh tashmë dhe kanë lënë gjashtë të vdekur. “Në qytetin turistik luksoz të Bodrumit, u evakuua një lagje e tërë, sepse flakët u shtuan nga erërat e forta të ardhura nga rrethi Milas”, njoftoi CNN turk.

Sipas kanalit televiziv, në pamundësi për të lëvizur në rrugë tokësore, 540 persona u evakuuan me anije. Në qytetin turistik të Antalias, u bënë edhe evakuime të tjera, sipas kanalit NTV, që tregoi imazhe të tymit të zi që mbështillte shtëpitë. Aktualisht, Turqia po përjeton zjarret më të këqija në të paktën një dekadë, sipas të dhënave zyrtare, me gati 95 000 hektarë të djegur në 2021, të krahasuara me një mesatare prej 13 516, në këtë periudhë të vitit, midis 2008 dhe 2020.