Universiteti i Erciyes në Turqi ka filluar kërkimet mbi prodhimin e një vaksine kundër koronavirusit. Grupi kërkimor është në fazat e para të testimeve, të cilat po i kryen tek minjtë, ndërsa shprehen të sigurt se vaksina e tyre është 100% efektive ndaj koronavirusit. Kreu i grupit kërkimor Prof. Dr. Aykut Özdarendeli u shpreh për mediat vendase se “Turkovac”, siç do të quhet vaksina, është 100% efektive ndaj koronavirusit, kjo sipas testeve të kryera tek minjtë, raporton “Hurriyet“. “Jemi në vitin e dytë të pandemisë dhe ajo ka prekur çdo pjesë të shoqërisë. Ne si universitet kemi kryer më herët kërkime mbi sëmundje të ndryshme dhe tani me rastin e pandemisë vijuam testet për një vaksinë kundër koronavirusit”, tha ai duke theksuar se deri më tani kanë përfunduar testet para klinike të vaksinës. “A është kjo vaksinë efektive ndaj koronavirusit? Po, është 100% efektive dhe këtë e kemi testuar tek minjtë”, tha ai.

Ndryshe nga turqit, vetë Pfizer, që cilësohet si një ndër vaksinat më efektive në botë ka deklaruar se vaksina e saj ka një efektshmëri deri maksimumi 95%. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë kërkimet për vaksinën turke, për të cilën deri më tani nuk janë kryer teste në njerëz.