Më shumë se 600 zjarrfikës portugezë janë mobilizuar për vënien nën kontroll të një zjarri të madh pyjor, që shpërtheu para dy ditësh në rajonin turistik të Algarve.

Ende aktiv, por i deklaruar “i menaxhueshëm”, zjarri ka shkatërruar të paktën 9 000 hektarë pyje, pemishte dhe dru, si edhe shkaktoi evakuimin e 81 banorëve, sipas një vlerësimi të bërë nga shërbimet e urgjencës.

E goditur në vitin 2017 nga zjarret më vdekjeprurës pyjorë në historinë e saj, që vranë më shumë se 100 njerëz, Portugalia deri më tani ka patur një vit relativisht të qetë në frontin e zjarrit.

Përhapja më e rëndësishme e kësaj vere u shpall natën nga e diela në të hënë në komunën Castro Marim, në pjesën e brendshme të Algarve, pranë kufirit spanjoll.

Të mbështetura nga erërat e forta, flakët përparuan nga kodrat drejt bregdetit, duke ndërprerë trafikun në autostradën që kalon në Algarve për disa orë.

Sipas dëshmive të mbledhura nga mediet lokale, disa ndërtesa bujqësore dhe banimi u dëmtuan, të paktën pjesërisht, por autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende këtë informacion.