Bashkëshortja e ish Presidentit Bujar Nishani, Odeta Nishani, është një nga ish pronaret trashëgimtare e ndërtesës së “Sarajeve”, e cila është Monument Kulture i kategorisë së parë dhe dje në mesnatë u tentua të digjej qëllimisht. Arsyet e kësaj tentative kriminale për të djegur një goditë historike duket se e kanë zanafillën te vendimi i Bashkisë së Tiranës, e cila ka vendosur të shpronësojë pronarët dhe ta rikonstruktojë ndërtesën, për t’i rikthyer shkëlqimin e dikurshëm, e për ta shpallur “shtëpi muze” të vizitueshëm edhe nga qytetarët dhe turistët.

Dokumentet hipotekore të publikuara më herët në media tregojnë se Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është djali i Mustafa Kosovës, që e ka zotëruar këtë pronë deri në vitin 1947. Ali Kosova e ka fituar pronën përmes një vendimi gjykate të vitit 1999, i cili kundërshton një vendim të mëparshëm të kthimit të pronave që njihte pronarë vetëm familjen Kazazi. Pas këtij vendimi prona është ndarë në dy pjesë mes familjes Kosova dhe Kazazi.

Sipas gjithë regjistrave hipotekare, prona kufizohet nga veriu me rrugën Abdi Toptani (dikur Alqi Kondi), që është rruga që kalon para “Torre Drinit”, nga jugu nga ish – “Kinema Kosova”, nga lindja nga rruga “Hiqmet Dervishi”, në një gjerësi prej 34 m, nga perëndimi nga rruga “Pashë Toptani”.

Sipas gentplanit, brenda pronës si pasuri kryesore gjendet “Bar Restorant Sarajet” dhe një sipërfaqe trualli rreth 1500 metra, që sipas përshkrimit hipotekar i bie të dalë në pjesën fundore të rrugicës para ish godinës së PD-së. Vërtetimi hipotekar i lëshuar në vitin 2000 pas përfundimit të proceseve gjyqësore, vërteton se Ali Kosova është një nga trashëgimtarët e kësaj prone. Siç shihet në dokumente, prona ka numër 1/65 dhe përshkruhet shtëpia me dy kate, një ndërtesë dykatëshe në fund të truallit, një sallë mbledhjesh dhe një garazh.

Në një reagim të tijin për zjarrin e djeshëm te “Sarajet”, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se tentativa për djegien e ndërtesës është e njëjtë me stilin që u përdor për prishjen e shkollës “Kosova”, e cila u rindërtua më e madhe më pas, në po të njëjtin vend. “Dje, nën stilin e Shkollës Kosova, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme, që pronarët të ndalojnë shpronësimin. Por zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit – edhe për këta nuk do ketë mëshirë. Politikanë që ditën merakosen për lodrat, e natën i vënë zjarrin qytetit!”, shkroi Veliaj.