Kanali vaditës Tuçep-Çerenec në Bulqizë, 19 km do t’i shërbejë disa fshatrave për vaditjen e më shumë se 700 ha tokë.

Ky kanal u rindërtua në kuadër të programit të qeverisë shqiptare “Ujë në çdo parcelë”, për të lehtësuar punën e fermerëve për vaditjen e tokave bujqësore.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga përfundimi i punimeve për rindërtimin të këtij kanali.

“Ky është kanali vaditës 19 km Tuçep-Çerenec në Bulqizë, që u shërben rreth 700 ha tokë dhe është rindërtuar në kuadrin e programit “Ujë në çdo parcelë”, falë të cilit kemi dyfishuar në këto vite tokën e mbjellë në Shqipëri”, – tha Rama.

Kanali ujitës Tuçep-Çerenec do të vadisë tokat bujqësore të fshatrave Tuçep, Ostren i Vogël, Lladomericë, Miresh, Terbaç, Golevisht, Viçisht e Çerenec.

Me rehabilitimin e këtij kanali fermerët e këtyre zonave, të cilët e sigurojnë jetesën e tyre përmes bujqësisë, do të kenë më shumë prodhime nga kulturat e tyre bujqësore.