Zv/kryeministri, Erion Braçe ka reaguar sot ndaj disa komentuesve , të cilët janë shprehur se rrugët e shtruara në Gradishtë dhe Gungas nuk janë në parametrat e duhur. Braçe ka marrë metrin dhe ka matur arteriet kryesore në Gradishtë dhe Gungas, duke i kthyer përgjigje komentuesve. “Puna vlen! Nderi e dinjiteti gjithashtu! Fyerjet, sharjet, mllefi, shpifjet i kthehen pas prurësit më të parë!; Siç e kërkon e siç e meriton! Me kërkesë të klientëve banalë të Facebook, thashë t’i vë metrin rrugëve”, shprehet Braçe.

“Kërkesa erdhi nga ata që kurrë nuk kanë bërë ndonjë punë në jetën e tyre, inxhinierët e fejsbukut, të cilët, nxijnë pas çdo pune, plasin pas çdo vepre!”, tha Braçe. “Në Gradishtë, arteria kryesore është nga 4.60 deri në 4.70 metra. Në Gradishtë rrugët nëpër lagje të brendshme të fshatit janë nga 3.80 deri ne 4.20 metra. Në Gungas arteria kryesore dhe unaza që të çon nëpër lagje të fshatit është nga 4.20 deri në 4.30 metra! Pra as 3 e as 3.5 metër!”, thekson Braçe.