Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken pas vendimit të Shqipërisë për të pranuar një grup afganësh (numri i saktë ende nuk dihet), që u rrezikohet jeta nga talebanët që morën pushtetin në Afganistan.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price njoftoi se Sekretari Blinken dhe kryeministri Rama u konsultuan në lidhje me ofertën e NATO -s bërë Shqipërisë për të pranuar përkohësisht afganët në nevojë.

“Sekretari Blinken falënderoi kryeministrin Rama për vazhdimin e traditës krenare të Shqipërisë për strehimin e njerëzve në nevojë. Sekretari dhe kryeministri riafirmuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve tona” mbyllet njoftimi nga zëdhënësi i DASH-it.

Gjithashtu, përmes një postimi në Twitter, Blinken falënderoi kryeministrin Rama për pranimin e afganëve.

Shqipëria ka bërë gati kapacitetet në Tiranë, Durrës, Berat dhe në Lezhë për të pritur grupin e afganëve, të cilët priteshin që të vinin mbrëmjen e djeshme, por fluturimi drejt Tiranës është shtyrë për shkak të kaosit në aeroportin e Kabulit.

Afganët që do të vijnë për strehim në Shqipëri do të qëndrojnë për një periudhë tranzitore, pasi destinacioni final do të jetë SHBA-ja.