Pavarësisht muajve të verës dhe pushimeve, në bashkinë e Cërrikut puna nuk është ndërprerë për asnjë çast.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Andis Salla inspektuan punimet që po kryhen për asfaltimin e rrugës së fshatit Kamunah në njësinë administrative Mollas.

Në fjalën e tij Balla tha se prej më shumë se 30 vitesh banorët e kishin kërkuar këtë investim të domosdoshëm.

“Vetëm pak kohë më parë investuam edhe në qendrën shëndetësore dhe ujin e pijshëm me synim për të përmirësuar nivelin e jetesës së këtyre banorëve punëtorë dhe për të mbajtur fjalën e dhënë. Mbyllim një cikël të rëndësishëm të gjërave të rëndësishme që kërkon një komunitet që jeton në fshat. Ne kemi ndërtuar në një kohë të shkurtër këtu edhe një qendër shëndetësore, e cila në këto ditë edhe pse ka një ecje përpara me numrin e vaksinimeve, unë doja të bëja një apel për të gjithë banorët që të shkojnë të bëjnë vaksinën”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Salla në fjalën e tij theksoi se rruga po ndërtohet me fondet e bashkisë dhe brenda të gjitha parametrave bashkëkohorë si dhe punimet do të përfundojnë brenda 20 ditëve.

Sipas Sallës, pas ndërtimit të ujësjellësit dhe qendrës shëndetësore, rruga është një tjetër premtim i mbajtur për banorët e fshatit Kamunah.