Babai i Lionel Messit, Jorge, ka thënë se ai dhe djali i tij nuk ndihen të lënduar nga Barcelona për mënyrën sesi ndodhi largimi i tyre nga klubi, por nga disa njerëz të caktuar. Duke folur mëngjesin pas debutimit të Messit për Paris Saint-Germainin, Jorge e mohoi se familja e Messit është e inatosur me Barcelonën për mënyrën sesi klubi e largoi atë nga klubi. Messi ishte i gatshëm ta vazhdonte marrëveshjen me Barcelonën, pasi kishte mbetur lojtar i lirë për disa muaj, dhe kishte shkuar në Katalonjë për ta vendosur firmën në kontratë.

Por klubi e njoftoi se e kishte të pamundur të nënshkruante me të për shkak të rregullave financiare të La Ligës, pavarësisht se argjentinasi e kishte ulur pagën për 50%. I pyetur nëse ndihej i lënduar nga Barcelona, Jorge Messi u përgjigj: “Jo, jo me klubin”. “(Ndihem i lënduar) nga disa njerëz, kjo është e gjitha”, shtoi ai. Jorge u pyet edhe si u ndje kur e pa Messin duke luajtur për PSG-në. Përgjigja e tij ishte e shkurtër: “Kështu e ka jeta”.