Ambasadori i Holandës, Reinout Vos ka marrë zyrtarisht detyrën në Shqipëri, ndërsa është pritur nga presidenti Ilir Meta me rastin e paraqitjes së letrave kredinciale. Nisur nga situata e zjarreve në vend, Ilir Meta ka falenderuar ambasadorin për mbështetjen e dhënë me helikopter për shuarjen e zjarreve. Sakaq, në takimin e tyre, Presidenca bën me dije se është diskutuar edhe mbi qëndrimin e fundit inkurajues të Holandës dhe të Parlamentit të saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe mbështetjen, që Holanda i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Kreu i shtetit vlerësoi rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri dhe nënvizoi nevojën e qëndrueshmërisë dhe vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me këtë vend të rëndësishëm dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese në interesin e përbashkët.