Drejtuesja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, tha se, shumica e rasteve të shtruara me COVID-19 në spital i përkasin të pavaksinuarve.

Pas mbledhjes së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino theksoi se, “fokus i punës tonë është jo vetëm fushata e përgjithshme e vaksinimit, por vaksinimi i grupeve të riskut, të cilët kanë risk për t’u prekur dhe të shtrohen në spital, të cilët janë kryesisht grupmoshat mbi 70 vjeç, personeli shëndetësor, mësuesit, policët etj.

Ajo tha se, përsa i përket vaksinimit, vihet re se rastet e vaksinuara me një dozë, janë 12 herë më pak të prekura nga infektimi, se rastet e pavaksinuara dhe rastet e vaksinuara me dy doza janë 32 herë më pak se rastet e pavaksinuara.

Sipas saj, kjo tregon një efekt mjaft të rëndësishëm të programit të vaksinimit.

“Vetëm 5% e popullatës është ajo që infektohet se është e pavaksinuar. Kjo na tregon vlerën e programit të vaksinimit, pavarësisht llojit të vaksinës që personat kanë marrë”, tha Bino.

Bino shpjegoi se, në gjithë vendet e Ballkanit vihet re një rritje e numrit të rasteve të infektuara, kjo për shkak të sezonit veror. Megjithatë theksoi ajo, vaksinimi do të ulë rastet e infektimit.

“Fushata e vaksinimit ka vazhduar me ritme të mira. Aktualisht kemi një mbulesë vaksinale me të dyja dozat, që po i afrohet 27%. Në drejtim të mbulesës me një dozë, ajo po i afrohet 37%”, informoi Bino.

“Gjirokastra është qyteti me mbulesën vaksinale më të lartë, por ka një mbulesë vaksinale edhe në Tiranë. Vazhdojmë të kemi vaksinime masive, sa i përket të gjitha grupmoshave”, tha Bino.