19 studentë shqiptarë kanë përfituar bursa masteri Erasmus Mundus. Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca së bashku me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, priti në një takim për ceremoninë tradicionale të përcjelljes, 19 studentët brilantë shqiptarë. “I lumtur të mirëpres, së bashku me Ministren Evis Kushi në EuropeHouse, për ceremoninë tradicionale të përcjelljes, 19 studentët brilantë shqiptarë të cilëve iu dhanë bursa masteri Erasmus Mundus . Erasmus+ është para së gjithash për të rinjtë”, tha Soreca.

“Ndihma për të kapërcyer sfidat me të cilat përballen është një përparësi e qartë politike për BE dhe për Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri”, shtoi Soreca. “Ne të gjithë duhet të angazhohemi, të lidhim dhe fuqizojmë të rinjtë në Shqipëri dhe Erasmus+ është një mjet i shkëlqyeshëm për të trajtuar këtë sfidë”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.