Interi e ka hedhur poshtë një ofertë në vlerë prej 100 milionë eurove plus Marcos Alonson nga Chelsea për Romelu Lukakun, sipas mediave italiane, të cilat paralajmërojnë se nuk ka mbaruar me kaq.

Chelsea është në kërkim të një sulmuesi këtë verë dhe sytë i kah ka sulmuesi belg i Interit. Sipas Sky Sport Italia, oferta e Chelseat për Lukakun kap vlerën e 100 milionë eurove plus kalimin e mbrojtësit anësor Alonso në Inter. As kjo ofertë nuk është pranuar nga kampioni italian, por transmetuesi italian paralajmëron se kjo çështje nuk merr fund me kaq, sepse Chelsea është i gatshëm të shkojë shumë larg për ta arritur ish-sulmuesin e vet.

Telashet financiare të zikaltërve janë të ditura, por ata janë të vendosur ta mbajnë lojtarin kryesor, i cili ishte vendimtar në fitimin e titullit në Serie A sezonin e kaluar. As Lukaku nuk dëshiron të largohet nga Interi, pasi në fanellën zikaltër e ka gjetur formën jetësore dhe me të është duke e shijuar futbollin në Itali, me 24 gola në 36 ndeshje në Serie A sezonin e kaluar. Ai e kishte një përvojë të shkurtër me Chelsean, por klubi londinez nuk ia dha mbështetjen e nevojshme për të lulëzuar, të cilën e gjeti në San Siro.