Në një intervistë për News 24, kryebashkiaku Erion Veliaj nënvizoi se teksa kryeqytetasit kanë nisur pushimet verore, Bashkia e Tiranës vijon punët për përfundimin e punimeve në kantieret e hapura.

Veliaj tha se këtë vit të ri shkollor do të hapen 10 shkolla të reja pranë qendrës së Tiranës dhe në zonat periferike, për t’u ardhur në ndihmë familjeve që të mos i dërgojnë larg fëmijët për t’u shkolluar.

“Rreth 10 shkolla që do të hapen në Tiranë do jenë gati për shtator. Disa shkolla janë në qytet, si shkollat e reja te Don Bosko, Hasan Vogli, Qazim Turdiu. Po ashtu edhe disa shkolla në zona rurale që i kemi bërë më të mëdha. Shkolla fantastike në Petrelë, disa shkolla në Pezë, në Pezë Helmës, në Pezë të madhe, edhe në Pezë të Vogël. Rehabilitimi i këtyre shkollave në periferi ul pak fluksin në Tiranë”

Për shtëpitë e fundit që do rindërtohen ai tha se deri në fund të gushtit do kenë mbaruar, teksa dha lajmin e mirë se lagjja e re në Vaqarr në kuadër të programit të rindërtimit është pothuajse gati.

“Kemi rreth 62 për të mbaruar dhe besoj deri në fund të gushtit do t’i kryejmë, kurse disa janë ndërhyrje masive dhe këtu fusim Lagjen e Re në Vaqarr që është thuajse gati. Kemi disa lidhje të nyjeve të ujësjellësit dhe lidhjeve të energjisë elektrike. Në lagjet e reja do të rigrupohen ato shtëpi të mbetura prej pamundësisë, por edhe prej varfërisë prej vitesh, në periferi të aksesit publik”, tha Veliaj.

Duke folur për furnizimin me ujë të pijshëm në Tiranë, kryebashkiaku bëri me dije se çdo 20 minuta kontrollohet cilësia e ujit, duke u dhënë kështu qytetarëve siguri maksimale për ujin që konsumojnë.

“Ne po investojmë në atë që e quajmë ‘unaza e presionit’. Si qyteti ka për autobusët disa unaza, ashtu edhe rrjeti i ujësjellësit funksionon kështu. Nëse nuk bëjmë këtë ‘unazë presioni’, atëherë ata që janë më afër në zonat nga ku hyjnë burimet kryesore në Tiranë, përfitojnë më shumë ujë. Ky rrjet na krijon një presion të njëtrajtshëm në gjithë Tiranën. Uji i Tiranës shkon në laborator çdo 20 minuta. Kontrollohet për të gjitha parametrat. Pra parametrat kimikë, për mënyrën se si klorinohet dhe pastrohet dhe parametrat biologjikë. Duhet pasur kudes me depozitat, të pastrohen sepse ndotja e ujit ndodh në depozitë”, sqaroi Veliaj.