Vaksina italiane ka rezultuar efektive në testet klinike të fazës së dytë. GRAd-COV2 nxiti një përgjigje të antitrupave në 93% të vullnetarëve tre javë pas dozës së parë dhe në 99% pas së dytës. Vaksina është prodhuar nga kompania italiane e bioteknologjisë ReiThera.

Në teste u përfshinë 917 vullnetarë mbi moshën 18 vjeç në 24 qendra në të gjithë Italinë. Një e katërta e vullnetarëve ishin ose mbi moshën 65 vjeç ose kishin predispozitën për t’u prekur nga forma të rënda të Covid-19.

“Ne jemi shumë të kënaqur për të dhënat e fazës paraprake dy”, tha Roberto Camerini, drejtori mjekësor i ReiThera.

Kompania thotë se bordet e pavarura këshilluese rekomandojnë vazhdimin e testimeve dhe avancimin në fazën e tretë. Asaj do t’i duhen të paktën 60 milionë euro (71 milion dollarë) për të financuar testet e fazës përfundimtare. Në maj, një gjykatë e kontrollit shtetëror refuzoi një plan për financimin me para publike.

ReiThera tashmë ka zhvilluar bisedime paraprake me BE në lidhje me një marrëveshje të mundshme, që do ta bënte Brukselin të diversifikojë furnizimin me vaksina, që aktualisht varet shumë nga Pfizer dhe Moderna.