Fituesi i “Këpucës së Artë” të “Euro 2020”, Cristiano Ronaldo, nuk ka vend në top-formacionin e këtij kompeticioni, të shpallur nga UEFA. Finalistët, Angli dhe Itali, e dominojnë këtë 11-she ideale.

Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, i cili u emërua “lojtari i turnout”, së bashku me mbrojtësit Leonardo Bonucci dhe Leonardo Spinazzola, mesfushorin Jorginho dhe sulmuesin anësor Federico Chiesa u zgjodhën të gjithë në përbërje të formacionit të UEFA-s, nga skuadra axurre.

Mbrojtësi i djathtë i Anglisë, Kyle Walker, qendërmbrojtësi Harry Maguire dhe sulmuesi Raheem Sterling u përfshinë gjithashtu në top-formacionin e turneut, i cili u emërua nga ekipi i vëzhguesve teknikë të UEFA-s.

Mesfushori i Spanjës, Pedri, i cili u shpall “lojtari i ri më i mirë i turneut”, është gjithashtu në mesin e kësaj 11-sheje, së bashku me Pierre-Emile Hojbjerg të Danimarkës dhe Romelu Lukaku të Belgjikës. Sterling shënoi tre gola për Anglinë, ndërsa Lukaku shënoi katër herë për Belgjikën, e cila u eliminua nga Italia në çerekfinale.

Top-formacioni i UEFA-s
Gianluigi Donnarumma (Itali) – Kyle Walker (Angli), Leonardo Bonucci (Itali), Harry Maguire (Angli), Leonardo Spinazzola (Itali) – Jorginho (Itali), Pierre-Emile Hojbjerg (Danimarkë), Pedri (Spanjë) – Federico Chiesa (Itali), Romelu Lukaku (Belgjikë), Raheem Sterling (Angli)