Aplikacioni për ndarjen e videove të shkurtra, TikTok ka njoftuar se do të përdorë më shumë automatizëm për të hequr nga platforma videot që shkelin udhëzimet e tij të komunitetit. “Aktualisht, videot e ngarkuara në platformë kalojnë përmes mjeteve të teknologjisë që punojnë për të njohur dhe shenjuar çdo shkelje të mundshme, që më pas shqyrtohen nga një anëtar i ekipit të sigurisë. Nëse identifikohet një shkelje, videoja hiqet dhe përdoruesi njoftohet”, tha TikTok.

Kompania në pronësi të ByteDance shtoi se gjatë javëve të ardhshme ajo do të fillojë heqjen automatike të disa lloje përmbajtjesh që shkelin politikën për sigurinë, nudizmin dhe aktivitetet seksuale, përmbajtjen e dhunshme dhe grafike, si edhe aktivitetet e paligjshme dhe mallrat e rregulluara; këto, përveç heqjeve të konfirmuara nga ekipi i sigurisë.

Kompania shtoi se kjo do të ndihmojë ekipin e saj të sigurisë të përqendrohet më shumë në zona shumë kontekstuale dhe të theksuara, të tilla si bullizmi dhe ngacmimi, keqinformimi dhe sjellja e urrejtjes.

TikTok do të dërgojë një paralajmërim në aplikacion me shkeljen e parë. Sidoqoftë, edhe në rast të shkeljeve të përsëritura, përdoruesi do të njoftohet dhe llogaria mund të hiqet përgjithmonë.