Rritja e numrit të aksidenteve gjatë ditëve të fundit, ku shumica e këtyre kanë ndodhur ose për shkak të shpejtësisë së lartë ose për parakalime të gabuara, ka barë që policia të veprojë me dorë të hekurt ndaj shoferëve të pabindur. Mbyllja e fundjavës sjell edhe një trafik të rënduar për shkak të kthimit të pushuesve nga bregdeti. Për shkak të trafikut disa nga drejtuesit e mjeteve kanë qenë të paduruar pasi kanë bërë parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë duke bërë që 113 prej tyre të gjobiten. Po ashtu në 24 orët e fundit gjatë monitorimit me radarë dhe kamera janë arrestuar 9 shoferë, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjithashtu janë pezulluar gjithsej 41 leje drejtimi, nga të cilat 29 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjoba janë vënë edhe për 2456 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse, mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.