Deputeti Taulant Balla në seancën e fundit plenare për këtë legjislaturë ka bërë thirrje që në shtator të mbizotërojë një klimë politike me një përqasje të duhur. Ai ka numëruar disa prej arritjeve të këtij Kuvendi duke nisur nga hapja e listave e deri në Reformën në Drejtësi. Balla theksoi se nga mëngjesi në mbrëmje Reforma në Drejtësi shahet por në fund kur insitiucionet veprojnë dhe godasin krimin thuhet se është fillim i mbarë.

”Mundësuam hapjen e listave, nuk dua të hyj në debatin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e saj janë të një forme të prerë. Shqiptarët që jetojnë jashtë territorit nuk u jepet mundësia që të jenë në zgjedhjeve nëse nuk udhëtojnë në vendin amë. Sa i përket komunikimit me zotin Soreca, unë nuk kam komunikuar me të sot. Ata që vijnë në shtator minimalisht të paktën të ndjekin këtë traditë të mirë parlamentare. Edhe kur kanë rrahur gjoksin kanë hyrë edhe nëpër çadra në fund kanë ardhur dhe kanë votuar dhe pastaj shkojmë tek produkti i reformës në drejtësi. Nga mëngjesi deri në darkë shajmë reformën në drejtësi, pasi institucionet bëjnë goditjet themi ky është fillimi i mbarë. Nuk ka më fillime të mbara është thjesht një proces i pakthyeshëm. Kam përmendur rastet e Kroacisë dhe Rumanisë kur isha në opozitë. Kur erdhëm në pushtet bëmë reformën më të thellë në drejtësi dhe tani po shohim rezultate. Drejtësia nuk është e mirë kur vepron mbi kundërshtarin tënd politik. PS në asnjë rast nuk ka sulmuar institucionet e drejtësisë. Nuk kemi bërë atë që bënte PD kur i famshmi kryetar i bashkisë së Kamzës arrestohet dhe PD bënte me turne dërgimin e ushqimit që sipas tyre ishte heroi. Po e mbyll fjalën time me një falënderim për të gjithë. Në shtator të bëjmë ndryshimet kushtetuese. Organeve të Vettingut duhet tu zgjatet mandati. Kjo kërkon edhe dakordësinë e opozitës. Në shtator të mbizotërojë një klimë politike që ka një përqasje të duhur”, mbylli fjalën e tij Balla.