Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu mori pjesë sot në takimin online të Samitit të Procesit të Berlinit.

Bregu u shpreh përmes një reagimi se tregu i përbashkët rajonal është një hallkë kyçe për një bashkëpunim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bregut, bashkëpunimi rajonal do të jetë i suksesshëm vetëm nëse jetëson idetë konkrete e përpjekjet mbeten reale.

“Sot në Samitin e Procesit të Berlinit, organizuar nga kancelarja Angela Merkel. Bashkëpunimi Rajonal do të jetë i suksesshëm vetëm nëse jetëson idetë konkrete e përpjekjet mbeten reale. Pak rëndësi kanë pastaj titujt e dokumenteve. Tregu i Përbashkët Rajonal është një hallkë kyç për një bashkëpunim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Bregu.

“Ne e dimë që ekonomitë e rajonit do të jenë konkurruese kur të jetë nevoja e bashkëpunuese kur duhet. Na mbetet të shpresojmë se dallimet do të shfaqen vetëm kur kjo të jetë e pashmangshme”, shtoi Bregu.

“Samiti mblodhi në Berlin, kancelaren Angela Merkel, presidenten Ursula von der Leyen dhe liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor për të riafirmuar angazhimin e tyre për implementimin e tregut rajonal të përbashkët në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Bregu.