Entuziazmi për ekipin kombëtar në Angli është rritur në nivele të larta. Të mësuar të luajnë në “Wembley” britanikët do transferohen mbrëmjen e sotme në Romë, kryeqytetin e Italisë aty ku do kërkojnë gjysmëfinalen e Euro 2020 përballë Ukrainës. Një test i lehtë në letër, por nuk pritet të jetë i tillë në fushë. Organizatorët kanë marrë masat e nevojshme që mbarëvajtja e kësaj përballjeje të shkojë sipas planit dhe për këtë, në qytet janë marrë të gjithë masat e nevojshme për të kufizuar rreziqet.

Roma dhe stadiumi “Olimpico” janë të blinduara. Ka të paktën pesë pika kontrolli përreth stadiumit për të parë çdo lëvizje në hyrje. Të paktën tre mijë agjentë janë në gatishmëri. Shumica e tifozëve anglezë mbërritën dje nga qytete të tjera italiane ose nga vendet e BE-së, por ekziston frika se të paktën 200 tifozë të tjerë të kombëtares së Southgate mund të kenë mbërritur sot në Romë, pavarësisht nga kufizimet, detyrimi i karantinës dhe certifikata që vërteton negativitetin të tamponit.