Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kujton 22 korrikun e viti 2016 të miratimit të Reformës në Drejtësi nga Kuvendi me 140 vota. Gjonaj shprehet se “në 22 korrik 2016, me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë, filloi rrugëtimi i reformimit të sistemit të drejtësisë”.

“Gjatë këtyre 5 viteve u arrit të vihet në jetë dhe në zbatim kjo reformë duke arritur rezultate të rëndësishme jo vetëm në pastrimin e Pallatit të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, por në ngritjen e një arkitekture të re të sistemit të drejtësisë, me institucione që tashmë janë në funksion”, shprehet ajo.

Gjonaj shton se “Reforma në Drejtësi është një ndër reformat më të rëndësishme të ndërmarra në këto 30 vjet demokraci. Me ecurinë e duhur, kjo reformë do të mundësojë ngritjen dhe forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm politikisht, të pakorruptuar, llogaridhënës, dhe efiçent”.