Bajpasi i Vlorës, një nga veprat më të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare është hapur provizorisht, ndërsa përfundimi i punimeve, do të mundësojë jo vetëm lehtësim të qarkullimit të pushuesve drejt brigjeve të Jonit, por do të shkurtojë edhe kohën e udhëtimit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ky aks i ri panoramik i cili shmang trafikun brenda në qytetin e Vlorës dhe u mundëson udhëtarëve që nuk kanë destinacion Vlorën një udhëtim më komod dhe të shkurtër drejt rivierës Joniane.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë panoramë të bajpasit të Vlorës, tashmë një aks i hapur për të lehtësuar qarkullimin gjatë pikut të sezonit e gjithashtu një destinacion i ri për t’u eksploruar, ju uroj fundjavë të mbarë”, shprehet Rama krahas videos së publikuar.

I gjithë ky bajpas do të monitorohet me radar shpejtësie ndërsa koha e përshkimit të këtij aksi është rreth 20 minuta duke zbatuar limitet e shpejtësisë së vendosura. Pjesë e këtij projekti janë edhe ballkonet panoramike.

Bajpasi i Vlorës do të shkurtojë lëvizjen e mjeteve dhe do të nxisë zhvillimin e një tjetër zone plot potenciale dhe sigurisht do t’u ofrojë udhëtarëve pamje nga më të bukurat drejt bregdetit të jugut .

Ky aks është një tjetër gur në gjerdanin infrastrukturës kombëtare ndërkohë që puna vijon edhe në akse të tjera po kaq të rëndësishme.