Nga Ylli Pata

Është krejt e çuditshme në fakt, që debati mbi ndryshimet strukturore, pra në statutin e PD-së, po bëhen kryesisht nga ata njerëz që Lulzim Basha i ka degdisur jashtë selisë blu, ndërsa kanë heshtur hartuesit e këtyre ndryshimeve, por edhe mbështetësit mediatikë të kreut të PD-së. Ndryshime të tilla, edhe pse mund të jenë edhe në formë, gjithsesi ndikojnë apo ngacmojnë zhvillimet të reja politike, e ja vlen të diskutohen me detaje. Kjo pasi opozita si logjikë, ndryshe nga partia që ka pushtetit, i ka reflektorët e publikut pikërisht tek organizimi dhe zhvillimet brenda saj, kurse nga ana tjetër i shikojnë tek autoritetet qeveritare dhe të emëruarit apo të zgjedhurit në poste qeverisëse.

Opozita, përveç faktorin e të ashtuquajturit “pushtet moral”, ka edhe logjikën e një eksperimenti në laborator se siç do të jetë ajo sot në organizim, ide, apo edhe ekip, do të jetë qeverisja nesër. Mirëpo, PD-ja e Lulzim Bashës, nuk ka problem vetëm këtë mënyrë që Basha kryen për të ndryshuar strukturat e partisë së tij, që t’i bëjë më të centralizuara nga kabineti i kryetarit. Centralizimi, nuk se është një fenomen vetëm në PD, edhe PS-ja e Edi Ramës, që në 2005-n kur u bë kryetar i opozitës, pati një qasje “kabine regjie”. Megjithatë, në një vend i vogël si i yni, ky edhe pse e mira është decentralizimi apo kolegjaliteti, fenomenet e drejtimit nga “dora qendrore”, nuk se janë zhvillim i ri.

Mirëpo centralizimi i Bashës me atë të Ramës, ndryshojnë në thelb, natyrisht duke krahasuar udhëheqjen e opozitës nga kryeministri aktual. Edi Rama nuk ka qenë asnjëherë partizan i një partie territoriale, i një partie klasike aparati, ku që në fillim ju dha sa më pak rëndësi kryetarëve e shefave lokalë të partisë, duke shtyrë për më shumë fuqi e vizibilitet, të zgjedhurve që Partia Socialiste sillte në qeverisje. E këto ishin kryebashkiakët. Të cilët, edhe gjatë kohës së PS-së në opozitë, por edhe sot, janë realisht drejtuesit më të rëndësishëm të partisë në territor. E ky në fakt është një koncept apo fenomen politik që ndodh edhe në vendet e Perëndimit. Partia, nuk është një aparatçik, por një i zgjedhur. E Lulzim Basha, pikërisht këtë ka problem real të Partisë Demokratike, pavarësisht se nuk e analizojnë mbështetësit e tij mediatikë në panele. Partia Demokratike, dikur ka qenë një “makineri perfekte elektorale”; ndryshe nga PS, e cila ishte kryesisht e organizuar në bazë territori. PD, si parti elektorale ka pasur fuqi të rëndësishme, që i dhanë sidomos në sistemin e vjetër klientelist të komunave, një fuqi reale në territor. Aq sa Sali Berisha, fitoren e Edi Ramës në shumicën e bashkive të vendit, ia kundërvuari në vitin 2007 me hartën e komunave duke e quajtur “blu Albania”.

E kjo fuqi politike e PD-së në territor nuk se ka vdekur plotësisht, pasi ende ka rendimente të saj që janë ende fuqi elektorale në çdo zgjedhje, ku shembuj ka plot: Xhelal Mziu në Kamëz, Zef Hila në Bushat, Arben Gjuraj në Dajç, por edhe në shumë zona në jug të vendit. Lulzim Basha, e shkatërroi këtë skemë të rëndësishme të organizimit të PD-së, me të ashtuauajturat lëvizje apo skema të tij të çartura, që ishin thjesht shpërthime politike kamikaze. Por ndryshe nga çndodh kur shpërthen veten një kamikaz, Basha shpëtoi dhe hodhi në erë partinë. Para pak kohësh, Arben Gjuraj, numri dy i bashkisë së Shkodrës, një fuqi elektorale e PD-së në SHkodër u largua në shenjë proteste ndaj mënyrës si “pula pa kry” e Voltanës në Shkodër. Rasti i Arben Gjurajt, i ka ndodhur PD-së në drejtimin e Bashës që kur e mori partinë. Ai ishte i vetmi kryetar që shkriu gjithë degët me logjikën për të veënë veton, por pa riorganizuar degët. E kjo solli që në 2017 të gjithë të larguarit votuan LSI. Një shembull: ish-kryetari PD Dibër, me disa krerë komunash u angazhuan edhe hapur në LSI.

Ndaj edhe Meta mori 19 mandate, nuk se ishin kot. Këtë herë, pra më 25 prill, këta të larguar, duke e parë që “kali i LSI-së” ka ngordhur i rikthyen votat në shtëpi, pra në PD. E ky është një sinjal shumë i rëndësishëm politik, natyrisht i pamjaftueshëm për PD-në edhe militantët e saj që janë në opozitë për herë të tretë, por është sinjal i fortë. PD, duhet ta përçojë këtë mesazh në zhvillimet brenda saj. Madje të hapet edhe më shumë e afrimi i të larguarve. Ngaqë opozita nuk është thjesht model i një partie, por edhe përcjell sinjalet që kërkon publiku. E nëse s’e bën, kjo jo thjesht jep përfitime për partinë në pushtet, pasi kjo mund të jetë edhe për arsye të tjera, por i jep shoqërisë një mesazh të keq të perceptimit të kërkesave të saj.

Në vitin 1945 pas Luftës së Dytë Botërore, kur Winston Churchilli e fitoi atë, në qeverisje erdhi Clement Attlee, lideri laburist i opozitës, i cili gjatë Luftës pranoi të bëjë një qeveri të përbashkët nën drejtimin e Churcill-it. Attlee, mori vendimin më të madh që ishte bërë deri atëherë në Mbretërinë e Bashkuar, natyrisht së bashku me opozitën konservatore: themeloi NHS-në National Health Service. Pra shëndetësinë universale falas. Si një arritje jo të të majtëve, apo të të djathtëve, por të demokracisë. Gjatë 2 luftrave Botërore, shërbimi shëndetësor u pa si një rëndësi primare nga numri i madh i të plagosurve apo i të sëmurëve nga pasojat e saj si epidemitë dhe uria. Dhe sot Mbretëria e Bashkuar, ka një arritje të madhe, edhe pse ky vend nuk është një socialdemokraci funksionale siç vendet skandinave. Lulzim Basha, deri më tani vetëm ka refuzuar reforma; reformën administrative, reformën e arsimit të lartë, reformën energjetike, reformën në drejtësi etj. Por çfarë ka propozuar?

Jo thjesht plane me 6 apo 9 ika, apo gjoba ndaj kompanive apo aktorëve në lojë: reforma reforma, që t’i ngulisë me presion e lobim ndërkombëtar. Reforma zgjedhore? Më 5 qershor riktheu sistemin e vjetër të paktit Berisha-Rama me numëruesit partiakë. Kur mund ta përmbyste këtë skemë thjesht me një propozim në “tokën amerikane”. Megjithatë ndryshimin Lulzim Basha mund ta bënte apo mund ta bëjë me propozimet e kandidatëve për deputetë, të kryebashkiakëve, të këshilltarëve, ndryshime që kanë më shumë peshë sesa ato shtigjet statutore me hile brenda.Një  opozitë , ndryshimin e bën me frymë dhe jo me forcë, me ide apo edhe me sinjale drejtuar shoqërisë. Ndaj edhe nenet statutore nuk janë asgjë e re, vetëm një pasyrim edhe më i madh i karakterit të Lulzim Bashës. Që nuk është lider, nuk di apo nuk mundet ta bëjë udhëheqësin. Me zor gjërat nuk bëhen, apo siç thuhet ndryshe; “nuk bëhet stan me lepuj”…TemA