Nga Alfred Peza/
Brenda 7-8 javëve në vijim, me muajin gusht në mes, në Tiranë do të mbahen dy Kuvende. I pari është Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, që do të mblidhet nesër. I dyti është Kuvendi i Shqipërisë, që do të mblidhet më 9 shtator. Të dyja kanë një pikë të përbashkët, nga raporti me të cilën do të përcaktohet edhe fati politik i opozitës në 4 vitet e ardhëshme, e në vijim.

Si në Kuvendin e PD ashtu edhe në Kuvendin e Shqipërisë, emëruesi i përbashkët, përcaktohet nga emri i përveçëm që i lidh. E ai është Sali Berisha. Pas shpalljes “non grata” të familjes së tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit, raporti që do të krijojnë aktorët dhe faktorët politik opozitarë më ta, është “Nyja Gordiane” që do të përcaktojë shumëçka për të ardhmen e tyre.

Nga raporti që PD do të mbajë me Sali Berishën në këto dy Kuvende, do të përcaktohet e ardhmja e saj në opozitë dhe prespektiva e saj reale deri në 2025.

Nga raporti që Lulzim Basha do të mbajë me Sali Berisëh në këto dy Kuvende, do të përcaktohet edhe e ardhmja e tij politike, nëse do të bëhet vërtetë një ditë Kryeministër i Shqipërisë.

Nga raporti që opozita do të mbajë me Sali Berishën dhe me të gjithë të tjerët nga gjiri i saj, që mund të shpallen “non grata” si edhe ai, do të varet edhe koha se kur ajo mund të rikthehet një ditë realisht në pushtet.

Nesër mbushen pothuajse 3 muaj nga humbja e PD në zgjedhjet e 25 prillit dhe plot dy muaj, nga futja e liderit të saj historik në listën e zezë të SHBA për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”. Kohë e mjaftueshme për të lexuar me qartësi dhe me mendje të ftohtë nga kjo distancë kohore, domethënien e këtyre dy momenteve të jashtëzakonshme në jetën 30 vjeçare të partisë më të madhe të opozitës së sotme shqiptare.

Vetë Sali Berisha duket i vendosur për të mos zbatuar standardin politik të krijuar, nga ata që janë shpallur “non grata” nga SHBA përpara tij, për tu larguar nga Parlamenti. Ai është deklaruar publikisht se nuk do ta zbatojë as kërkesën e ligjit për dekriminalizimin, që detyron largimin nga Kuvendi i Shqipërisë, të gjithkujt që nuk e kalon dot sot oqeanin. E si të mos mjaftonin këto, ai është betuar, se do ta dyfishojë atje zërin e tij në shtator.

Deri tani as strukturat e PD, as forumet e saj drejtuese, as lidershipi i saj dhe as Kryetari Lulzim Basha, nuk janë distancuar qartë dhe prerë nga Sali Berisha. Duke dëshmuar kësisoj, se kjo parti nuk shkëputet dot nga kthetrat e tij, për të arritur në lartësinë e standardit që kanë kërkuar me të drejtë për kundërshtarët e tyre politikë të shpallur “non grata” nga SHBA.

Nesër mbahet Kuvendi i radhës i PD dhe më shumë se një festë demokracie për partinë e parë antikomuniste, e gjitha duket si një ceremoni mortore për të varrosur publikisht, të gjitha ato norma e parime që e kanë mbajtur deri tani në këmbë. Kjo është pasoja e pafuqisë së saj totale, për tu ngjitur lart e për të shkuar gjithmonë e më larg, përmes ligjit të “mohimit të mohimit”.

Duke mos iu bërë dot varr politik, njeriut që ka marë godititjen më të rëndë që mund ti japi ndonjëherë një lideri aleati ynë më i madh strategjik, dilema është se çdo të ndodhi pas këtij Kuvendi të PD deri në mbajtjen e Kuvendit të Shqipërisë më 9 shtator.

A do ti bëhet PD bunker Sali Berishës dhe familjes së tij, për ta mbajtur brenda vetes dhe për ti shpallur luftë SHBA? A mund të jesh një parti pro amerikane, duke mos i pranuar dhe zbatuar vendimet që merr ajo, për shqiptarët dhe Shqipërinë? A mund të jesh nesër një alternativë reale pushteti në vendin më pro amerikan të planetit, nëse nuk je një aleat i besueshëm i Washingtonit?

E në fund të fundit: A do të jetë PD me Sali Berishën, kundër SHBA? Apo Lulzim Basha do të jetë me SHBA, kundër Sali Berishës? Kjo është çështja. Për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, nesër pas Kuvendit të PD, nis numërimi nga poshtë. Duhet të veprojnë shpejt, sepse nuk ka edhe shumë kohë. Ajo mbaron më 9 shtator, ditën që do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë.