Mbledhja e kryesisë së PD zgjati mbi 2 orë dhe u shoqërua me debate, por u vendos miratimi i dokumentit të analizës për zgjedhjet e 25 prillit.

Kryesia vendosi të miratojë edhe ndryshimet për statutin e PD, të propozuara nga kryetari Lulzim Basha. Një tjetër pikë që u miratua në mbledhjen e sotme lidhet me listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD që do t’i cohet Kuvendit Kombëtar të shtunën.

Në mbledhjen e kryesisë së PD që nisi në orën 18:00 në selinë blu pati debate mes drejtuesve politikë me sekretarin e përgjithshëm Gazment Bardhi për mënyrën e hartimit të dokumentit të analizës së zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas drejtuesve politikë, dokumenti i hartuar nga numri dy i PD nuk reflekton raportet e tyre për analizën në zgjedhje në çdo qark. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se nënkryetarët Spaho dhe Paloka kanë deklaruar se raporti nuk është realist. Ndërsa Spaho thotë se ka arritur objektivin në qarkun e Korçës pasi ka fituar 5 mandate.

Drejtuesit politik të qarqeve kanë hedhur dyshime në mbledhje se e gjitha është bërë që disa të dalin mirë dhe disa të dalin keq nga analiza.