Parku Kombëtar Divjakë Karavasta është shndërruar në një destinacion të preferuar për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë çdo javë.

Ky atraksion i mrekullueshëm ofron gjithçka i nevojitet një pushuesi duke përfshirë edhe plazhin me rërën e veçantë dhe me vlerat e mëdha kurative. Natyra e bukur, ajri i pastër e bëjnë vendin ideal për të pushuar.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikanët kaçurrel apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshet e detit por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.