Nga Mero Baze

Në gjithë mërmëritjet e brendshme në Partinë Demokratike, bie në sy fakti se të gjithë kritikojnë Lulzim Bashën rreth zgjedhjeve të tij, shijeve të tij politike, muzikore apo luftarake, dhe akoma më shumë rreth veseve të tij nepotike me familjen e gruas, vilat e tyre etj. E gjithë kjo fashë pakënaqësie brenda PD nuk është politike dhe nuk prodhon politikë. Ajo është emocionale dhe akoma më keq, një lloj pakënaqësie ndaj preferencave të tij. Ky nuk është problemi më i rëndë i PD-së apo i Lulzim Bashës. Problemi i PD-së, është që Berisha nuk e dorëzoi PD-në dhe akoma deri më sot, nuk ka dalë askush të kërkojë ta marrë atë me një betejë që fokusohet kundër kryetarit real të PD, Sali Berisha.

Të gjithë biem dakord se këtë betejë duhet ta bënte i pari Lulzim Basha. Por ai nuk ka ndërmend ta bëjë, pasi ai është tipi i politikanit që emërohet, dhe jo tipi i politikanit që zgjidhet. Ai është emëruar nga Berisha më 2005 dhe vazhdon akoma i emëruar. Ai nuk ka bërë asnjë betejë në jetë dhe as ka ndërmend të bëjë. Ai ka bindjen që për të duhet të luftojnë të tjerët.

Fjala vjen, për t’u bërë kryetar i PD, ai ishte i qartë se duhet të luftonte Berisha. Dhe ai luftoi. Për ta mbajtur atë kryetar të PD pas shtatë humbjeve, duhet ta bënte Berisha. Dhe ai e bëri. Për të hequr Berishën nga kryetar real i PD apo për t’u distancuar ndaj tij, pas futjes në listën e zezë, ai mendon se duhet ta bëjnë amerikanët, pasi vet ua ka mbushur mendja që nëse flet, Berisha e vret.. Ai është i kënaqur që ambasadorja e SHBA nuk do të shkelë në Parlament ditën që do të hyjë Berisha, por nuk ka ndërmend t’i thotë Berishës që kjo është gjë e keqe për PD.

Ai e ka ndarë mendjen që amerikanët e nisën këtë sherr, dhe ata duhet ta përfundojnë vetë, pa atë. Ai po ashtu mendon se Edi Ramën duhet ta mundin të tjerët. Herë herë përfytyron policë që i lidhin duart, amerikanë që e shpallin armik, europianë që nuk e pranojnë në BE, dhe fantazi të tjera plot ngjyra. Por kurrë nuk e përfytyron veten si dikush që duhet ta mundë atë. Ai nuk bën asnjë betejë as brenda PD-së. Edhe emërimet, gradimet, ç’gradimet, sprovimet, ngritjet në përgjegjësi, promovimet, ja bën kunati. Ai thjesht i pranon në heshtje.

Ai është i bindur se i takon të jetë në atë post dhe të tjerët duhet të kujdesen për të. Problemi është se problem i tij, tani është problem i PD. Dhe PD duhet ta ndaj mendjen të ketë një lider që ka bërë një betejë në jetë, qoftë dhe sikur ta ketë humbur. Ky ka humbur 7 herë pa bërë asnjë betejë. Dhe sot beteja në PD është me historinë e saj dhe pushtetin e Sali Berishës mbi të.

Ai që e bën këtë betejë, ai do të jetë bindës dhe shpresëdhënës, edhe për Berishët, që mund ta sjellë PD-në në pushtet. Ndaj pakënaqësitë ndaj Bashës në PD janë të adresuara gabim, pasi e trajtojnë atë si një njeri që i takon ai post që i ka falur Berisha, por nuk e ndan mirë pushtetin. Problemi i PD është se ai post duhet të fitohet nga dikush dhe ai që fiton PD dhe mund Berishën, do të fitojë dhe pushtetin dhe të mund edhe Ramën.Lulzim Basha nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë. Ndaj mos u ankoni ndaj tij, se është më i  sinqerti në këtë pikë.

Nëse doni një lider të ri, vëreni në provë të bëjë betejën e parë me atë që i ka zënë PD-së rrugën drejt të ardhmes, Sali Berishën. Nëse mund atë, mund dhe Edi Ramën dhe e sjell PD-në një ditë në pushtet Në të kundërt, prisni emërimet e radhës nga Berishët. Dhe ata nuk mbarojnë me vdekjen fizike të Berishës.