Mbi 1 milion herë ka rënë telefoni në shërbimin e Urgjencës Kombëtare përgjatë vitit pandemik. Shumica e thirrjeve kishin të bënin me koronavirusin.

“Janë rreth 1 milion e 13 mijë thirrje deri sot nga data 9 Mars e vitit të kaluar. Janë rreth 190,565 vizita, ndërsa thirrjet për Covid janë 243,146. Vizita për Covid në banesë janë rreth 30 mijë, 46.7% janë dërguar në spital dhe 53.3% janë trajtuar në banesë.”

Me kalimin e kohës, telefonatat në lidhje me Covid-19 në numrat e Urgjencës Kombëtare u reduktuan. Në 24 orët e fundit vetëm 5 persona kanë kërkuar informacion mbi virusin pandemik.

“Janë 174 konsulta mjekësore dhe 355 vizita në banesë, nga të cilat 5 janë vetëm për Covid.”

Temperaturat e larta kanë bërë që thirrjet për ndihmë të qytetarëve të jenë në drejtim të disa problematikave shëndetësore.

“35% e të gjithë sëmundshmërisë e përbëjnë vetëm sëmundjet kardiologjike, duke përfshirë aksidentet, traumat, sëmundjet tumorale dhe sëmundjet e të gjitha organeve. Kryesisht në periudhën e të nxehtit janë lipotimitë ose humbja e ndjenjave, sidomos tek fëmijët dhe moshat e thyera.”

Bazuar në statistikat e Urgjencës Kombëtare, përgjatë muajit të fundit janë marrë 53 mijë thirrje, 504 për Covid. Ekipet kanë realizuar 11504 misione në banesë, prej të cilave 197 ishin për Covid dhe janë realizuar 171 tamponë.