Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në inaugurimin e punimeve për rehabilitimin e Spitalit ‘Mbretëresha Geraldinë’, kryeministri Edi Rama deklaroi se materniteti që do të rikonstruktohet dhe zgjerohet në disa pjesë të saj ka edhe vlera historike dhe jetësore.

Ai tha se për shkak të dëmeve nga tërmetet një pjesë e godinës së spitalit u shpall e pabanueshme, që shtoi nevojën për këtë investim që po lancohet.

Kryeministri shpjegoi se ndërsa zhvillimi në shëndetësi vijon, perceptimi i mjekëve për profesionin e tyre ka nevojë për tu reformuar gjithashtu.

“Sot shëndetësia është në pararojë të procesit të transformimit. Reforma në shëndetësi është në një kantier të madh. Synimi për autonominë spitalore, si instrument për të rritur kapacitetin në të gjitha aspektet është në një proces të avancuar ashtu sikundër është në proces të avancuar synimi për një hapsirë komunikimi mes bluzave të bardha e pacientëe dhe familjarëve të tyre.
Më bëri përshtypje një tubim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Mbrësëlënëse për nga niveli i kurajos dhe paturpërsia e propozimit. Patjetër që ne shpërblimin e mjekëve do e rrisim, ky nuk është zotim elektoral, sepse zgjedhjet sapo kanë mbaruar, por është një zotim i planifikuar tashmë që do të mbahet që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%” tha Kryeministri Rama.

Duke shpjeguar planin afatgjatë për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë, ai theksoi se përmes metodës së autonomisë spitalore mënyra e shpërbilimit të mjekut do të ndryshojë për mirë, që në koncept e më pas në praktikë.

“Me autonominë spitalore ne kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit të mjekut. Mjekët të paguhen sipas mundit dhe volumit të shërbimit. Ky është thelbi në raport me atë që autonomia spitalore sjell në burimet financiare të mjekëve.
Të thuhet të legalizohet ryshfeti, është një masazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që lëvizja në sistemin shëndetësor të shtrihet shumë më thellë. S’mund të ketë në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e pacientëve.
Ndarja mes shumicës që e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfimuar faktet që lidhen me sa shumë ndërveprime kryhen në funksion të pacientëve duke vënë në shërbim të tyre dijen e mundin bën nga ana tjetër që të jetë e domosdoshme që mjekë e infermierë trondisin opinionin publik kur shfaqen si gjakpirës, të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit.” u shpreh kreu i shtetit.

“Për këtë arsye ne kemi në proces edhe ndërtimin e një rrjeti anti-korrupsion nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur nën presioon të gjithë sistemin tonë publik, jo vetëm atë shëndetësor. Të gjitha këto që bëjmë humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre nëse sistemi vijon të ushqejë parazitë e grabitqarë që janë aty për t’i shërbyer shtetit dhe njerëzve” shtoi Kryeministri Rama.

Kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të zhvillohet në radhë të parë brenda shtetit: “Kjo është arsyeja se pse edhe në spitale, kemi vendosur që të shtrijmë deri në fund rrjetin e individëve që do të jenë aty për këtë punë, për të ndarë ose për të kontribuuar për ndarjen e të njomit nga i thati. S’mund të ketë luftë kundër të keqes nëse ajo është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti, në të gjitha nivelet. Lufta do të zhvillohet brenda në radhë të parë. Vetëm kështu do të rriten të ardhurat, besimi, solidariteti, dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë në sytë e të gjithëve, ata të cilët bëjnë detyrën. Vetëm kështu Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë vitesh është penguar që të ngjitet dhe kështu shteti do të bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm i qytetarëve. Në të kundërt, është e vështirë, shumë e vështirë.”

Nga ana tjetër Rama i sheh si shenja pozitive të ndryshimit ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit.

“Këto që po ndodhin për fat të mirë janë shenjat e para të një ndryshimi që do të shkojë duke u thelluar, në çdo nivel. Shteti s’mund të jetë një rifuxhio për mëkatarë e grabitqarë në kurriz të qytetarëve, që e mbajnë në këmbë shtetin me kontributet e tyre. S’mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, lotin e familjarëve, e djersën e qytetarëve, në asnjë sistem. Këto janë mëkate që shkojnë shumë përtej personales. Nga ana tjetër unë besoj se ne jo vetëm që jemi në rrugën e duhur, por në këtë rrugë po synohet që Shëndetësia në Shqipëri të bëhet pikë referimi për të gjithë rajonin. Kemi mjekë të jashtëzakonshëm, infermierë të zotë dhe kjo s’mund t’i poshtërojë një segment brenda tyre, që shkon në drejtim të kundërt me drejtimin e historisë. Për hir të së vërtetës kemi dhe një lidership që se kemi pasur asnjëherë në krye të punës tonë në sistemin shëndetësor. Lidershipin e ministres, e drejtuesve shumë të apasionuar dhe shumë ambiciozë, e njëkohësisht të vullnetshëm në shumë pikat të sistemit. Kemi dhe një boshllëk për të plotësuar këto pika, pasi jo në çdo pikë kemi njerëzit e duhur. Nga ana tjetër akoma, kemi mundësi të hyjmë në një fazë të re duke shfrytëzuar sinergji që deri dje ishin të pamundura ose jashtë vëmendjes në rastin më të mirë. Sinergji me partnerë që janë të gatshëm të na mbështesin dhe të hyjnë me ne në partneritete dhe jo thjesht të na mbështesin për së jashtmi. Partnerë shtetërorë, partnerë private, që ta fuqizojmë maksimalisht kapacitetin e sistemit duke mos u lënë trupave në sistem të gjithë barren për t’u marrë me të gjitha edhe shumë përtej misionit dhe kapaciteteve të tyre.”, – e mbylli fjalimin e tij Kryeministri Rama.