Roberto Mancini, trajneri i Italisë kampione të Europës, ka folur pas ndeshjes së fituar në finale ndaj Anglisë, duke u shprehur se këtë triumf ia dedikon një njeriu të veçantë për të. Bëhet fjalë për Paolo Mantovani, ish-presidenti i Sampdoria, njeriut që ndërtoi ekipin e famshëm të viteve 80-90, kampione e Italisë me dyshen e sulmit Vialli-Mancini.

“Unë kam patur fatin të luaj në një ekip të madh si ai i Italisë së vitit 1990, por edhe me kombëtaren U-21 të viti 1988. Edhe pse ishim më të mirët, u mundëm në ato dy turne me penallti. Ndaj, fati më kishte një borxh edhe pse ky është futbolli”, tha Mancini.

Më tej, trajneri italian tha: “Një pjesë të këtij trofeu ia dedikoj Paolo Mantovani, që 30 vite më parë ishte këtu në “Wembley” me mua, kur me Sampdoria humbëm finalen e Kupës së Kampioneve (0-1 ndaj Barcelona). Ia dedikoj edhe tifozëve të Sampdoria, pasi atë ditë vuajtën. Ndaj, kjo kupë është për të gjithë italianët dhe familjes time”.