Inter ka mirëpritur sërish Romelu Lukakun, i cili pas pushimeve është rikthyer të stërvitet me skuadrën në “Appiano Gentile”. Sulmuesi u vendos menjëherë në dispozicion të trajnerit të ri Simone Inzaghi dhe dukej mjaft entuziast për rifillimin e përgatitjeve në kuadër të sezoni 2021-2022. Ndjesitë e tij pozitive i pasqyroi të gjitha në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit. “Jam vërtetë i lumtur që jam sërish këtu. Shpresoj të vazhdojmë rrugëtimin që kemi nisur dhe të mos ndalemi së fituari. Ne si futbollistë do të punojmë fort për të realizuar ëndrrat e tifozëve”, u shpreh sulmuesi belg.

Më tej ai që mbiquhet “Big Rom” foli edhe në lidhje me teknikun e ri, Inzaghin, me të cilin ka folur shpesh në telefon, por vetëm tani kanë nisur të punojnë së bashku.

“Kemi biseduar shpesh edhe përpara se të zyrtarizohej, por edhe gjatë Europianit kemi patur vazhdimisht kontakte. Edhe vëllai im, Jordan që ka punuar me Inzaghin tek Lazio më ka thënë shumë gjëra rreth trajnerit, mendoj se është një trajner i mirë dhe do ta ndihmoj skuadrën për të realizuar objektivat. Shpresoj të punojmë të gjithë së bashku për të vijuar rrugëtimin e nisur”, tha Lukaku. Romelu Lukaku është kthyer në një pikë referimi tek Interi që në çastin kur mbërriti në Milano në verën e 2019-ës, në dy sezone ai ka realizuar 64 gola me fanellën zikaltër