Në bajpasin e Vlorës, punimet po avancojnë me ritme të shpejta, ndërsa sot është lidhur dhe ura e fundit në të, çka mundëson që ky segment të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve gjatë këtij sezoni turistik. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punimeve në këtë bajpas, i cili pritet të hapet më 15 korrik. “Lidhet dhe ura e fundit e bajpasit të Vlorës”, tha Rama.

Bajpasi i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe përfundimi i kësaj vepre pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, në drejtim të bregdetit të jugut. Bajpasi i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit. Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së me vlerë rreth 37 milionë euro. Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund të autostradës Levan-Vlorë.

Në çdo 1.5 kilometra të kësaj rruge është parashikuar vendpushim për automjetet. Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.