Nga Mero Baze/

Ka disa lajme të mira nga opozita që nuk po bien në sy. Për shembull Lulzim Basha dje ka postuar një reagim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku thotë, “Gjykata foli, tani duhet të flas SPAK”. Lajm i mirë është që kryetari i opozitës ka besim të plotë tek dy institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK. Ka besim, pasi njërën e lavdëron dhe nga tjetri ka pritshmëri të lart. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Zakonisht kjo opozitë që kemi ne, vazhdimisht ka kontestuar çdo institucion të drejtësisë, pasi nuk i ka konsideruar të vetat. Tani është ndryshe Ja që reforma në drejtësi e solli një produkt pozitiv. Sot kemi një kryetar opozite që i ka sytë nga Gjykata Kushtetuese dhe SPAK, dhe shpreson se ato do të bëjnë atë që nuk e bëri dot ai si opozitë.

Po kështu dhe disa militantë të sëmurë të opozitës. Edhe pse flasin marrëzira, thelbi i reagimit të tyre është që besojnë tek drejtësia. Fjala vjen i janë vërsulur ambasadorit Soreca, sikur të ishin anëtarë kryesie të LSI të gjithë, dhe i kërkojnë të hetohet se çfarë ka biseduar në Gjykatë Kushtetuese. Edhe ai edhe Gjykata thonë që kanë qenë një takim i zakonshëm pune, nga ato që bëhen me qindra mes ambasadorëve dhe institucioneve tona. Por interesante është se militantët e opozitës e kërcënojnë Sorecën, se do ta çojnë në prokurori, pse nuk u tregon atyre çfarë ka folur. Edhe pse është shumë qesharake kjo historia me Sorecën, është interesante që ata besojnë tek prokuroria. Ky është një lajm që e gëzon dhe Sorecën më shumë se ata.

është po ashtu një lajm i mirë që procesi i kontestimit të zgjedhjeve mbaroi dhe opozita nuk la gjë pa kontestuar, dhe institucionet ju përgjigjën çdo ankese. Tani mandatet e deputetëve janë shpërndarë dhe për të vetmin mandat që ka debat, është ai i Sali Berishës, nëse duhet ta lërë apo ta marrë në Shtator. Edhe reforma e KQZ duket se funksionoi.

Së fundmi Lulzim Basha është zotuar se nuk do ta bojkotojë më kurrë parlamentin dhe zgjedhjet dhe se do të shkoj të luftoj brenda institucioneve. Dhe kjo është një histori e re në politikën, që e vuanim pas çdo palë zgjedhjesh kur humbiste PD.

Pra kemi një sërë zhvillimesh që na tregojnë se opozita e beson Reformën në Drejtësi, beson tek Gjykata Kushtetuese, beson tek SPAK, beson tek Prokuroria, beson tek KQZ, dhe po përpiqet ti përdor atë si instrument në luftën e saj politike, çka është legjitime.

Një situatë e tillë as që mendohej dy vjet më parë, kur opozita dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet lokale vetëm që të dështonte Reforma në Drejtësi. Tani përmes institucioneve të Reformës po kërkon të bëj politikë . Eshtë një hap i madh përpara, por dhe një keqkuptim i madh për Bashën, nëse vërtet mendon se atë që duhet ta bëj ai si kryetar opozite pret ta bëj drejtësia dhe ti çoj atij të mundur në tavolinë kundërshtarin. Institucionet i pranoi dhe bëri mirë. Tani duhet të pranojë që duhet të bëj dhe ndonjë punë si kryetar opozite. (Gazeta Tema)