Në vendimin e arsyetuar, KPK arsyeton se gjetjet e vëzhgueses ndërkombëtare për cenim të besimit të publikut në vendimarrjen si anëtar i KLD nuk e bëjnë subjektin të papërshtatshëm –por ia transferoi ato Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Trupa u nda në qëndrime për kriterin e pasurisë.

Nga Edmond Hoxhaj

Gjyqtari Gerd Hoxha i Gjykatës së Tiranës u konfirmua me shumicë votash në detyrë më 3 qershor 2021, ndërsa dy gjetjet e ONM-së mbi vendimarrjet e subjektit si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë iu deleguan Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Vendimi i arsyetuar tregon se trupi gjykues është dakordësuar për pastërinë e figurës dhe profesionalizmin, por është ndarë në qëndrime sa i përket kriterit të pasurisë.

Kryesuesi Olsi Komici dhe relatorja Genta Tafa Bungo vlerësojnë se Hoxha ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë, ndërsa anëtarja në pakicë, Brunilda Bekteshi çmon se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimin e një huaje të marrë nga ish-bashkëshortja, e cila ka shërbyer për shlyerjen e një kredie 25 mijë euro të përdorur për rikonstuksionin e një apartamenti.

Deri në këtë fazë, hetimi pasuror për gjyqtarin Hoxha është thuajse i njëjtë me çështjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares së Apelit të Tiranës, Elbana Lluri –e konfirmuar nga KPK dhe e apeluar me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Megjithatë, Hoxha ka pasur në disfavor rekomandimin e ONM për cenimin e besimit të publikut te drejtësia – gjetje të cilat KPK ia transferoi për vlerësim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjetjet e ONM për cenim të besimit

Të dy çështjet e ngritura nga ONM kanë të bëjnë me vendimarrje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, në kohën kur gjyqtari Gerd Hoxha ishte anëtar i saj.

Njëra prej vendimeve lidhet me lejen e posaçme me afat 2-vjeçar që KLD i dha gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni –tashmë i dorëhequr nga sistemi i drejtësisë.

Sipas ONM-së, mbledhja e KLD-së dhe vendimi i marrë për dhënien e lejes gjyqtarit Gjoni janë kryer në shkelje të dispozitave ligjore dhe se Komisioni duhet t’i vlerësojë negativisht. Vëzhguesi e përmbyll gjetjen me arsyetimin se në rastin konkret, me mosveprimet e tij, subjekti Gerd Hoxha ka kontribuuar në cenimin e besimit të publikut te institucionet e gjyqësorit dhe, për pasojë duhet të aplikohet shkarkimi.

Rasti tjetër tjetër ka të bëjë me vendimin e KLD-së për të rrëzuar kërkesën e ministrit të Drejtësisë së kohës për masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj.

“Ai jo vetëm ka marrë pjesë në vendimin që ka rrëzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, por ka argumentuar në mënyrë aktive me arsye të pabazuara ato përfundime,” argumentoi vëzhguesja ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë një kontribut aktiv për cenimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Në vendimin e saj, KPK ka rrëzuar rekomandimin për shkarkim të ONM-së, duke arsyetuar se shkeljet në fjalë nuk e bëjnë magjistratin të papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e tij si magjistrat.

Megjithatë, trupi gjykues shprehet se subjekti nuk arsyetoi bindshëm lidhur me gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar dhe ka vendosur t’i transferojë çështjet në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për vlerësim të mëtejshëm.

Vlerësimet ndryshe për huanë

Subjekti ka deklaruar detyrimin e vlerës 25 mijë euro të marrë hua pa interes dhe pa afat në vitin 2011 prej ish-bashkëshortes nga prindërit e saj, si dhe ka shpjeguar se është përdorur për shlyerjen e një kredie në të njëjtën shumë në vitin 2009, po nga bashkëshortja.

Nga hetimi ka rezultuar se për marrjen e kredisë ka qenë dorëzanës subjekti i rivlerësimit dhe një familjare e ish-bashkëshortes së tij. Po ashtu, për kredinë është vendosur si garanci edhe apartamenti që zotëron gjyqtari Hoxha.

Lidhur me burimin, subjekti ka deklaruar se huaja 25 mijë euro përfaqëson kursimet e familjes së ish-bashkëshortes, që nga momenti i hyrjes së tyre në punë, deri në momentin e dhënies së kësaj shume. Ai ka shpjeguar se këto kursime përbëhen nga pagat dhe pensionet e prindërve të ish-bashkëshortes dhe shuma prej 40 mijë lekë në muaj e dhënë që prej vitit 1995 e në vazhdim nga vajza tjetër e tyre, me qëllim përmbushjen e nevojave të tyre për jetesë mesatare dhe për çdo shpenzim tjetër. Sipas subjektit, aktualisht ata disponojnë në bankë shumat 1.5 milionë lekë dhe 9000 euro.

Pasi ka analizuar edhe shpjegimet e gjyqtarit Hoxha, komisioni ka konstatuar se ish-bashkëshortja e ka marrë huanë para martesës dhe se deri në momentin e dhënies së vendimit nga KPK për atë subjekt rivlerësimi, ka qenë ende e pashlyer.

“…nga hetimi nuk rezultoi që kjo hua ose një pjesë e saj të jetë shlyer me të ardhurat e subjektit ose gjatë kohë që ai ka qenë i martuar me znj. Ll”, konstaton shumica dhe shton se huaja është marrë në kushtet e një marrëdhënie të posaçme prind – fëmijë.

Sipas shumicës, prindërit e ish-bashkëshortes së Hoxhës nuk janë subjekte deklarimi dhe për rrjedhojë nuk kishin detyrimin ligjor për të deklaruar të ardhurat e përfituara nga vajza tjetër, që ka rezultuar se ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për dhënien e shumës 40 mijë lekë në muaj.

“E vetmja pikëpyetje që ngrihet në këtë marrëdhënie është fakti se a duhet t’i kishin shpenzuar krejtësisht këto të ardhura zotërinjtë për rritjen e nivelit të tyre të jetesës apo mund t’i përdornin edhe për kursime?” vëren shumica – por vlerëson se është jashtë tagrit të Komisionit të kërkojë arsyet se përse nuk janë shpenzuar këto të ardhura.

Dy komisionerët në shumicë e kanë konsideruar bindës shpjegimin e Hoxhës se sikur ish-vjehrrit të kishin kursyer vetëm 10 mijë lekë në muaj, do të kishin mundësi financiare për dhënien e huasë preh 25 mijë euro.

Shumica vlerëson se detyrimin për të provuar ligjshmërinë e burimit të huas në shumën 25 mijë euro e ka pasur ish-bashkëshortja e subjektit, e cila është gjykuar nga një trupë tjetër e KPK-së.

Komisionerja Brulida Bekteshi ka dalë kundër kolegëve të saj për pasurinë, ndërkohë që bashkohet me mendimin e shumicës për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Nisur nga fakti se Hoxha ka qenë dorëzanës në kredinë e marrë në vitin 2009, që është shlyer me huanë nga prindërit e ish-bashkëshortes dhe se kjo vlerë është përdorur për mobilimin e apartamentit që ai zotëron aktualisht, Bekteshi vlerëson se subjekti mban statusin e personit të lidhur dhe se ka detyrim ligjor të provojë burimin e ligjshëm të krijimit të çdo pasurie.

Bekteshi vëren se shuma 40 mijë lekë në muaj e pretenduar si e dhënë prindërve të ish-bashkëshortes së subjektit, nga vajza e tyre A. Ç. është një burim i ri i shtuar gjatë hetimit administrativ.

Ajo argumenton se, tjetërsimi i të ardhurës mujore 40 mijë lekë në krijimin e gjendjes cash në shumën 5 milionë lekë të deklaruar në vitin 2004 nga ish-bashkëshortja e Hoxhës apo në huanë 25 mijë euro nuk mund të jetë i besueshëm, pasi prindërit kanë deklaruar se përdorej për përmbushjen e nevojave të tyre për një jetë mesatare.

Nisur nga deklarimi i ish-bashkëshortes së subjektit, se si burim krijimi për gjendjen cash në shumën 5 milionë në vitin 2004 kanë shërbyer edhe kursimet e prindërve, Bekteshi vlerëson se analiza për mundësinë e krijimit të shumës 25 mijë euro të dhënë hua duhet të kryhet prej vitit 2005 e deri në momentin e dhënies së huasë.

Sipas anëtares në pakicë, nga analiza financiare për periudhën 2005 – 2011, duke mos marrë në konsideratë ndihmën në vlerën 40 mijë lekë në muaj dhënë nga vajza A. Ç. për prindërit, ka rezultuar se këta të fundit janë në pamundësi financiare për të gjithë vlerën e huasë prej 25 mijë euro.

Bekteshi arrin në përfundimin se gjyqtari Gerd Hoxha nuk ka arritur nivel të besueshëm në rivlerësimin e pasurisë dhe ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të huasë prej 25 mijë euro.