Nga Plator Nestur/ Statusi nuk është problemi i PD. Ashtu siç edhe gomari nuk çalon nga veshët. Çështja e reformimit të partisë më të madhe opozitare kishte në fokus sot e gjith ditën mbledhjen e Komisionit Statutor e ku merreshin në ballafaqim projekt-tezat e Lulzim Bashës, Kadillit dhe Harxhit. Dhe ku natyrisht idetë e Bashës dolën se ishin më të pjekura e me kripën me karar. Partia nuk kish nevojë për mendje të tjera, e kështu projekti i Kadillit thjesht duhej sikterisur.

Por çështja nuk qëndron këtu. Nuk besohet se do të jetë statusi e ndryshimet në të që do të sjellin çelësin e suksesit. Edhe më parë janë bërë ndryshime. Madje statusi është ndërruar sa herë PD ka humbur. Hera e fundit që u bë kjo gjë ishte kur Basha hoq nenin që detyrohej të jepte dorëheqje nëse humb zgjedhjet. Kështu që sipas traditës, meqë sërish PD ka humbur le të merret sërish me statutin, por kjo nuk është forma për ta bërë një parti të suksesshme, të besueshme dhe fituese për zgjedhjet.

Debati për statusin duket si tepër i sforcuar për ta mbajtur vetëm në këtë temë, ndërsa selia blu ka nevojë për debate të tjera, shumë më të rëndësishme e që i hapin rrugë transformimit të saj për ta shndërruar në një parti moderne. Mbajtja e debatit tek statuti lë mënjanë debatin për të ardhmen e PD, që nuk mund ta mbrojnë disa nene statutore. Nuk mund të pretendohet hapja e partisë dhe rritja e saj thjesht pse do të rritësh numrin e Këshillit Kombëtar dhe të anëtarëve të Kryesisë. Nuk bëhet me e fortë PD se i jep më kompetenca Bashës për të caktuar kandidatët për Kryetarë bashkie. Këto të drejta i ka patur dhe më parë.

Dhe nëse nuk i paska patur me statut, në këtë formë është bërë. Po ashtu PD rritet dhe vetëm nëse së pari bën një analizë të vërtetë për veten dhe di të mbash përgjegjësi, sidomos për atë që nuk e ke bërë mirë. Me humbjen e zgjedhjeve për shembull, dhe pranimin e gabimeve që çuan në disfatë. Njerëzit nuk u afrohen hilacakëve, sepse nuk u japin besim, ndaj ndërsa kërkohet të fshihet koka e humbjes, si struci në rërë, me justifikimin e masakrës zgjedhore, të harrohet se korridoret e PD mund të ajrosen dhe votat të shtohen. Dhe këtë nuk ka ndryshim statutor që mund ta ndreqë.