Koronavirusi që aktualisht ka pushtuar botën nuk doli dhe as u krijua në një laborator. Pretendimi vjen nga një eksperte mjekësore nga Mbretëria e Bashkuar. Profesoresha e Biologjisë në Universitetit të Anglisë Lindore në Britani, Diana Bell, beson se virusi i zbuluar së fundmi ka qenë present te lakuriqët e natës prej shumë kohësh. Ajo pretendon se ka kaluar tek njerëzit përmes një kafshe tjetër ndërmjetëse.

Diana Bell, profesoreshë e Biologjisë në universitetin e Anglisë Lindore: “Kam punuar mbi SARS në vitin 2003 dhe 2004, kur analizoja tregtinë e kafshëve të egra. Shumica nga ne di shumë për këtë virus dhe jemi të bindur se nuk doli nga laboratoridhe se nuk është krijuar në një të tillë”.

Sipas raportimeve të mediave, një grup kërkimor nga Universiteti i Anglisë Lindore në Britani ka zbuluar një koronavirus të ri të quajtur “RhGB01” në kampionet e tyre studimore.

Ndërkohë, sa i përket origjinës së Covid-19, Kina po mendon të zhvillojë fazën e dytë të një studimi të saj, pasi refuzoi planet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për diçka të tillë. Në investigimin e ri të OBSH-së do të shqyrtohej teoria që virusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez.

Ministria e jashtme e këtij shteti refuzoi me forcë edhe njëherë duke theksuar se çështja e origjinës së Covid-19 është diçka politike. Në vend të kësaj teze, Kina tha se shkencëtarët duhet të analizojnë rrugët e mundshme të shpërthimit të koronavirusit të ri.