Dy turistë të huaj janë gjetur pas 14 orës, pasi kishin humbur në zonat e thella të Llogarasë. Policia e Vlorës thotë se një shtetas francez dhe një shtetase australiane duke eksploruar zonat malore në Llogara, kanë humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuara. Blutë e qytetit bregdetar thonë se nisën menjëherë kërkimet, duke bërë të mundur gjetjen e tyre pas 14 orësh.

Njoftimi i policisë

Policia u vjen në ndihmë dy turisteve të huaj, të cilat kishin humbur rrugën në një zonë të thellë në Llogara. Në orët e mbrëmjes së djeshme, dy turiste të huaja, një shtetas francez dhe një shtetase australiane duke eksploruar zonat malore në Llogara, kanë humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuara.

Menjëherë janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me shërbimet e Zonave të Mbrojtura dhe shërbimet e Policisë Kufitare, të cilët filluan kërkimet për gjetjen e tyre, në rrugë tokësore dhe detare. Pas 14 orë kërkimesh, është bërë e mundur gjetja e tyre rreth 2.5 Km në vijë ajrore larg gjirit të “Gramës”. Të dy shtetaset nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe po transportohen në stacionin e Policisë Orikum.