Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë sot në sesionin plenar të nivelit të lartë të “Forumit të Prespës për Dialog” që po zhvillon punimet në Ohër, të Maqedonisë së Veriut. Denaj u shpreh se, “gjatë Forumit të Dialogut në Prespë pata kënaqësinë të takohesha me zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Matthew Palmer, ndihmëssekretarin e Shtetit në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ambasadorin Philip T. Reeker, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein”.

Në takimet me përfaqësuesit e lartë, ministrja Denja, vuri theksin në angazhimin e qeverisë shqiptare për integrimin e vendit në BE, si dhe në krijimin e një ekonomie konkurruese rajonale dhe më gjerë. “Qeveria shqiptare do të vijojë të jetë e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në sfidën e përbashkët rajonale të integrimit drejt Bashkimit Europian, për të nxitur stabilitetin dhe për të bashkëpunuar për krijimin e një ekonomie konkurruese, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe me gjerë”- deklaroi Denaj.