Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bën të ditur se, deri në datë 1 janar 2022 nuk do të aplikohen penalitete, që rrjedhin nga zbatimi i ligjit të Fiskalizimit.

“Qasja jonë ndaj biznesit do të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit, zbatimin sa më të lehtë dhe raportimin në kohë reale”- tha Denaj.

Ministrja informoi se, që prej datës 1 janar 2021 ka filluar procesi i Fiskalizimit ndërmjet tatimpaguesve dhe institucioneve publike, ndërkohë që prej 1 korrikut 2021 ky proces përfshiu dhe tatimpaguesit që kryejnë transaksione pa para në dorë ndërmjet tyre, ndërsa në 1 shtator 2021 do të përfundojë procesi i Fiskalizimit pasi do të bashkohen dhe tatimpaguesit që kryejnë transaksione me klientë me para në dorë.

Me miratimin e aktit normativ “Për një shtesë në ligjin ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, nuk do të aplikohen, deri në datën 1 Janar 2022, penalitete që rrjedhin nga zbatimi i ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

“Mbi subjektet e ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit që kryejnë transaksione pa para në dorë dhe/ose me para në dorë, që kanë detyrimin të zbatojnë dispozitat ligjore të tij, nuk do të aplikohen dënimet administrative të parashikuara në kreun XIV “Sanksionet” të ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”- u shpreh Denaj.

Sipas saj, situata, me të cilën vazhdon të përballet vendi ynë si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ka bërë të nevojshme krijimin e një kuadri rregullator që ndihmon tatimpaguesit në plotësimin e detyrimeve të tyre që rrjedhin nga ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, sipas dhe në përputhje me datat respektive të fillimit të efekteve të tij, pa qenë nevoja që mbi ta të aplikohen dënimet administrative të parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Pandemia globale COVID-19 ka krijuar një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale, të shoqëruar me një sërë problematikash në të gjithë vendin, përfshirë këtu edhe për komunitetin e biznesit, të tilla si vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ndaj klientëve, furnitorëve dhe punonjësve, vështirësi në vijimin normal apo dhe rrezik për mbyllje të aktivitetit.

“Në këtë mënyrë qasja e administratës tatimore do të jetë edukuese dhe këshilluese me qëllim: Rritja e efektivitetit të procesit të fiskalizimit, duke e bërë sa më të thjeshtë për komunitetin e biznesit dhe duke mos pasur si qëllim penalizimin e tyre; Mbështetja e komunitetit të biznesit në përshtatjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë me këtë sistem/proces të ri të fiskalizimit, i cili mundëson një metodologji raportimi në kohë reale ndërmjet Administratës Tatimore dhe Tatimpaguesve”- deklaroi Denaj.