Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit, në Fier, një stacionin ultramodern të Gazsjellësit Transadriatik, një investim strategjik që i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e organizuar sot me këtë rast në Fier, Balluku tha se “ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier–Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës e me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjigandi Exxon Mobile”. Balluku theksoi se, “e rëndësishme për ne sot është të krijojmë burime të reja energjie dhe të zgjerojmë e diversifikojmë prodhimin e energjisë në vend, mbi bazën e politikave dhe strategjive me impakt në zhvillimin e këtij sektori”. Sipas saj, gazsjellësi TAP në Shqipëri, ka vendosur një gur kilometrik në sektorin energjetik shqiptar dhe është një histori suksesi në dimension shumëpalësh. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, Shqipërisë i hapet rruga e gazifikimit të vendit, që është një nga prioritet e qeverisë Rama për zhvillimin e sektorit të energjetik në Shqipëri.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë elektrike në vend i përgjigjet ekspansionit të turizmit, bujqësisë, ndërtimit dhe zhvillimit të ekonomisë, ndërkohë që gazifikimi është në fokus të punës tonë në mandatin e tretë dhe po punojmë për të sjellë risi në këtë sektor me projekte, ku gazi i lëngshëm që do të vijë nga gjigandi Exxon Mobile, mund të injektohet në linjën e TAP, për të krijuar eficencë maksimale të çmimit të megavatit nga TEC-i i Vlorës” – deklaroi Balluku.