Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpjegoi dje se pezullimi për më pak se 1 muaj i aboneve të përgjithshme në Tiranë, u bë për të parë se cilat linja autobusësh spekulonin me to. Në prezantimin e linjës së gjelbër dhe flotës së parë të autobusëve hibrid/elektrik në Tiranë, Veliaj deklaroi se kompani spekulante kanë falsifikuar në shumë raste abonetë dhe biletat.

E kishim të nevojshme që ta pezullonim qoftë edhe një muaj abonenë e përgjithshme, ndërkohë që abonetë e tjera u shitën normalisht në treg, për të kuptuar se cila nga linjat funksiononte, cila gënjente, cila abuzonte dhe cila bënte evazion. Shpeshherë jemi lënë në baltë edhe nga prokuroria, edhe nga ata që kanë filluar hetimet për linja që dihen botërisht se janë spekulantë, por na duhet një dokument ligjor. Janë kapur linja që falsifikojnë bileta, që falsifikojnë abonenë, janë kapur linja që i shesin ato në treg të zi dhe spekulojnë me mënyrën se si funksionon aboneja e përgjithshme , theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë paralajmëroi se të gjitha kompanitë që janë kapur në shkelje dhe kanë abuzuar me shërbimin ndaj qytetarëve, nuk do të lejohen të operojnë më. Ishte shumë e rëndësishme të përgatiteshim për hapjen e një linje të re, duke kuptuar dhe duke bërë një analizë se çfarë nuk shkonte me linjat e vjetra. Bashkë me lajmin e mirë të hapjes së linjës së re, do të kemi edhe disa lajme të tjera për disa linja që nuk do të vazhdojnë më funksionimin në qytetin e Tiranës, o prej ndotjes së jashtëzakonshme që kanë prodhuar, ose prej faktit se në mënyrë sistematike mashtrojnë publikun dhe Bashkinë e Tiranës, si me abonetë, si me biletat, si me shërbimin, tha Veliaj.

Për të rritur shërbimin, Bashkia e Tiranës falë edhe projektit me GIZ, ka pajisur të gjithë autobusët me GPS. Chip-i i GPS do na tregojë ekzaktësisht si është kryer shërbimi, se kur ka qenë në stacion, me çfarë shpejtësie ka ecur mjeti. Do të kemi mundësi që dhe t’i provojmë Gjykatës Administrative kur marrim vendime për të hequr një linjë ose vendime për të larguar operatorë spekulantë nga qyteti i Tiranës, nënvizoi Veliaj.